Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar ftesën për takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Përmes një letre zyrtare, Hamza e ka njoftuar Kurtin se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se kjo parti do të qëndrojë në opozitë. Ai ka theksuar se, për shkak të dallimeve të mëdha programore dhe konceptuale, PDK-ja do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj politike brenda Kuvendit si parti opozitare.
Gjithashtu, kreu i PDK-së i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që po sot të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit, në përputhje me afatet dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve të reja. /Ekonomia online/
