UBT News

Hamza: Nëse Specialja injoron Kuvendin, të shfuqizohen marrëveshjet ndërkombëtare

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nëse Dhomat e Specializuara nuk i respektojnë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, atëherë institucionet vendore duhet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm, përfshirë shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare mbi të cilat është krijuar kjo gjykatë.

Deklarata e tij erdhi pas pyetjeve lidhur me amandamentet e propozuara nga PDK-ja, sipas të cilave Gjykata Speciale duhet të trajtojë vetëm krimet e supozuara që ndërlidhen me heqjen e organeve dhe që pretendohet se kanë ndodhur pas luftës, nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Lidhur me zbatueshmërinë e këtyre ndryshimeve ligjore, Hamza nënvizoi:

“Unë e them që çdo ligj që aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend, është i obliguar të zbatohet. Nëse ka ndonjë institucion, në këtë rast edhe gjykatat brenda Dhomave të Specializuara, duke e përfshirë Gjykatën Kushtetuese që injoron Kuvendin e Kosovës, një ligj të aprovuar në Kuvend, jam i bindur se Kuvendi duhet të shkojë edhe një hap tutje e kjo nënkupton edhe shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Gjykata Speciale është themeluar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa propozimi i PDK-së synon kufizimin e mandatit lëndor të saj. /E.A/

Exit mobile version