Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i shoqëruar nga deputetët e grupit parlamentar, ka dalë në një konferencë për media ku ka ritheksuar qëndrimin e prerë kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së.
Gjatë fjalës së tij, Hamza bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së tashmë ka proceduar zyrtarisht në Kuvend kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai theksoi se Kosova po kalon nëpër ditë të rënda dhe se reagimi i qytetarëve, të cilët po protestojnë në vazhdimësi kundër këtij vendimi, nuk mund të injorohet nga institucionet vendëse.
Sipas kryetarit të PDK-së, Kuvendi i Kosovës nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek drejtpërdrejt Republikën e Kosovës.
“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga vetë Kuvendi i Kosovës“, u shpreh Hamza, duke kërkuar reagim institucional ndaj situatës së krijuar
