UBT News

Hamza: Kurti, Haxhiu e Dehari shkelën Kushtetutën, situata ka kaluar në krizë institucionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur një konferencë për media nga foltorja e sallës së Kuvendit, ku ka kërkuar thirrjen e menjëhershme të seancës konstituive dhe ka akuzuar udhëheqësinë aktuale për shkelje të qëllimshme të ligjit me të cilin funksionon shteti.

Hamza deklaroi se kryeministri në detyrë Albin Kurti, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, si dhe kryesuesi i seancës Avni Dehari, kanë kaluar çdo kufi duke shkelur afatet kushtetuese dhe aktvendimet e fundit të gjyqësorit.

“Jemi sot këtu së bashku me deputetët tanë dhe deputetët e Aleancës sepse LVV, Kurti, Haxhiu dhe Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, jo një afat të vendosur nga PDK, jo nga opozita por nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Hamza.

Udhëheqësi i PDK-së nëvizoi se vendi nuk po përballet më vetëm me bllokadë politike, por me një krizë të thellë të vetë institucioneve.

“Sot nuk kemi më vetëm kriza politike, por edhe kriza kushtetuese dhe institucionale. Institucionet po funksionojnë në një terren të pasigurt me shkelje kushtetuese, me shkelje të Rregullores së Kuvendit ndërsa përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë politike. Kjo nuk është normale dhe nuk do lejojmë të bëhet normale”, përfundoi ai. /E.A/

Exit mobile version