UBT News

“Halili dhe Hajria”, 62-vjetori i premierës së baletit të parë shqiptar

62 vjet më parë, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB), u shfaq për herë të parë baleti shqiptar “Halili dhe Hajria”, një ngjarje e rëndësishme në historinë e artit skenik shqiptar. Ky ishte baleti i parë tërësisht shqiptar, një krijim i kompozitorit Tish Daija, baletmaestrit Panajot Kanaçi dhe dirigjuar nga Mustafa Krantja, që shënoi një hap të madh për zhvillimin e kulturës shqiptare.

Pas premierës, ky balet pati jehonë të madhe dhe shënoi një pikë të rëndësishme në teatrot e baletit shqiptar, duke hapur rrugën për produksione të tjera kombëtare. Në vitin 1963, “Halili dhe Hajria” u interpretua nga balerinat Ganimet Vendresha dhe Zoica Haxho në rolin e Hajries, ndërsa rolin e Halilit e luajtën Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako. Pas një dekade, në dhjetor të vitit 1973, baleti u luajt për herë të 150-të, një shenjë e suksesit të tij të vazhdueshëm.

Vepra u rikthye sërish në skenë në vitin 1983, ku krahas emrit të njohur të balerinit Llaqi Nako, rolin e Halilit e interpretuan edhe artistët Ilir Kerni, Gerd Vaso, Esdalin Gorani dhe Eno Birko. Roli i Hajries u shfaq nga balerina Albana Sulejmani, Keti Trajani, Julika Islami, Enada Hoxha, Alisa Gjoni dhe Odeta Dishnica. Gjatë periudhës së saj, “Halili dhe Hajria” është luajtur mbi 250 herë, jo vetëm në skenën e TKOB-së, por edhe jashtë saj, duke u prezantuar në turne në Greqi, Itali, Turqi, Francë dhe shumë vende të tjera. Kjo vepër ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm dhe është vlerësuar në festivale ndërkombëtare.

Në Francë, baleti u shfaq nga një trupë franceze, ndërsa më pas u vu në skenë edhe në Prishtinë. Në të dyja rastet, baletmaestro i spektaklit ishte i madhi Panajot Kanaçi, i nderuar më vonë me titullin “Nder i Kombit” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin e baletit shqiptar dhe ndërkombëtar. Ky balet ka mbetur një nga vepra më të dashura dhe më të rëndësishme të skenës shqiptare, duke pasur ndikim të madh në zhvillimin e artit të baletit në Shqipëri./UBTNews/

Exit mobile version