Një nga bankierët më të pasur në Francë, baroni Danglart, gjendet i burgosur në një vend të largët në Itali, i mbikëqyrur nga banditi Luigi Vampa. I detyruar të paguajë shuma të mëdha parash për të ngrënë dhe mbijetuar, një ditë ai vizitohet në qeli nga një burrë.
Pas një dialogu të shkurtër, vizitori misterioze zbulon vetë identitetin e tij: “Unë jam ai që ti e shite, e dorëzove, dhe e çnderove. Unë jam ai, të fejuarën e të cilit ti e ke prostituuar; unë jam ai, mbi të cilin shkele për t’u ngjitur vetë lart; unë jam ai, babanë e të cilit e vdiqe nga uria, ai që të dënova me uri dhe që megjithatë po të fal, pasi ai vetë duhet të falet: Unë jam Edmond Dantes!”.
Jemi përpara aktit final të romanit të famshëm të shkrimtarit francez Alexandre Dumas “Konti i Montekristos”. Historia e Edmond Dantes, një nga më mbresëlënëset e letërsisë franceze, fokusohet tek një hakmarrje të tmerrshme, e realizuar përmes mashtrimeve, maskimeve dhe mjeteve që janë përtej kufijve të imagjinatës.
Në jetën reale do të ishte e pamundur të hartohej një plan i tillë, të cilin do të ishte një nënvlerësim po ta quash makiavelist. Por në fillimin e shekullit XIX, një këpucar i thjeshtë u bë protagonist i një historie, detajet e së cilës nuk mund të mos jenë të njohura për fansat e romanit.
Viktimë e një komploti, që e detyroi të përjetojë një burgim të gjatë dhe të padrejtë, por edhe një vuajtje të madhe, në emër të drejtësisë private, ai u maskua si gjykatës, si juri dhe si xhelat kundër atyre që e goditën me thikë pas shpine.
Pierre Picaud ishte një këpucar nga Nimes, i lindur ndoshta më 2 maj 1780. I varfër por shumë ambicioz, ai u fejua në vitin 1807 me Marguerite Vigoroux, një grua shumë e bukur dhe shumë e pasur. Por dasma e afërt, shansi i tij i madh për të arritur një status të lartë socio-ekonomik, ngjalli zilinë e tre miqve të tij: Solari, Chaubart dhe Mathieu Loupian.
Sidomos këtij të fundit, pronar i një lokali dhe i mbetur i ve dhe me dy fëmijë, i bëri shumë përshtypje lajmi që dëgjoi. Prika e madhe e Marguerite, do t’i kishte dhënë atij mundësinë të shlyente borxhet, dhe të ngrihej mbi origjinën e tij më të ulët shoqërore.
Prandaj ai inskenoi një komplot politiko-gjyqësor kundër Pierre. Komploti nisi në momentin kur këpucari shkoi në dyqanin e tij për ta prenotuar atë për zhvillimin e dasmës, ndërsa Loupian i tha si me shaka se ishte gati të vinte bast se do t’ia vononte ceremoninë.
Pierre qeshi me fjalët e mikut të tij, por gaboi. Në fakt ndër klientelët e lokalit ishte edhe një agjent i qeverisë bonapartiste. I ndihmuar nga Solari dhe Chaubart, të cilët ishin gjithashtu ziliqarë ndaj Pierre, Loupian i tha atij se dinte emrin e një spiuni në shërbim të Anglisë.
Duke e besuar vërtet këtë gjë, agjenti e informoi eprorin e tij, Anne Jean Marie René Savary, Duka i Rovigos dhe kreu i policisë franceze, që urdhëroi arrestimin e menjëhershëm të tradhtarit të dyshuar. Operacioni u krye në fshehtësi të madhe, dhe Pierre u ndesh me xhandarët ditën e dasmës së tij.
Në fshehtësi absolute ai u shoqërua dhe u burgos në fortesën Fenestrellenë Piemontese Val Chisone në Itali. Antoine Allut, miku tjetër i këpucarit, nuk mori pjesë në komplot, por duke qenë se ishte në dijeni të gjithçkaje, premtoi të heshtë, duke i lënë dorë të lirë komplotistëve.
Pierre nuk mori asnjë shpjegim për arrestimin e tij, por ndjeu se muret e ftohta dhe klaustrofobike të burgut, do të shënonin fundin e ekzistencës së tij. Ndërkohë në shtëpi askush nuk e dinte se çfarë i kishte ndodhur, dhe brenda pak kohësh emri i tij u harrua.
Edhe pse i sfilitur në trup dhe mendje, Pierre nuk u dorëzua, duke kërkuar një mënyrë për t’u arratisur dhe fituar lirinë. Me mjete të improvizuara ai nisi që të gërmonte një tunel në muret e qelisë, me shpresën se do të hapte një shteg për të dalë jashtë. Koha nuk i mungonte. Tek e fundit synimet e qeverisë bonapartiste, ishte që ai të vdiste aty në qeli.
Ai punoi ditë e natë për ta zgjeruar tunelin, derisa vite më vonë doli në një qeli tjetër, ku ndodhej prifti italian Atë Torri. Ajo që në fillim dukej si një dështim, rezultoi të ishte një fat i madh. Pierre nisi të miqësohej me Torrin, dhe një vit më vonë, para se të vdiste prifti vendosi të ndajë me bashkëvuajtësin e tij sekretin e tij më të madh.
Në Milano, Torri kishte fshehur një thesar të madh, që ndoshta lidhej me arsyen e burgosjes së tij, dhe nëse do të arrinte të shihte sërish dritën e diellit, ai e mësoi Pierre se si ta shtinte në dorë atë thesar. I mbetur sërish vetëm, Pierre e pa veten trashëgimtar të një trashëgimie që nuk mund ta kishte në dorë, të paktën në teori.
Por fati ishte sërish në anën e tij. Beteja e Lajpcigut e vitit 1813 solli humbjen e Napoleonit, që abdikoi vitin e ardhshëm nga froni. Pierre, në cilësinë e të burgosurit politik të një regjimi të rënë, u lirua nga burgu brenda pak muajsh.
I burgosur në fortesë në vitin 1807, ai u largua nga ajo 7 vjet më vonë, dukshëm i plakur. Por dëshira e tij për hakmarrje,i dha forcë të kërkojë të njëjtën drejtësi që dikur i ishte mohuar. Duke ndjekur udhëzimet e Atë Torrit, ai shkoi në Milano, dhe e mori thesarin, duke u bërë më i pasur nga sa e kishte imagjinuar ndonjëherë.
Me pseudonimin Joseph Lucher, ai u nis për në Francë në kërkim të përgjigjeve mbi atë që i kishte ndodhur. Për këtë ai u maskua në një moment si një prift,Atë Baldini, dhe kërkoi në Nimes mikun e vjetër Allut. Gjatë bisedës i tregoi të vërtetën se kush ishte.
Këpucari i dha Allut një diamant, teksa ky në këmbim duhej t’i shpjegonte arsyen e arrestimit. Duke dëgjuar rrëfimin mbi makinacionet e Solari, Chaubart dhe Loupian, edhe ai pak humanizëm që kishte mbetur tek ai nga vitet e vështira të burgimit, i la vendin zemërimit dhe hakmarrjes.
Pasi u arrestua miku i tij, Loupian u martua me Marguerite në vitin 1812, duke ngritur një biznes të ri falë prikës së majme të bashkëshortes. Kishin kaluar shumë vite, dhe burgimi e kishte ndryshuar fizikisht të gjorin Pierre, ndaj askush nuk kishte dyshime për identitetin e vërtetë të kuzhinierit të njohur nga të gjithë si Joseph Lucher.
Duke gjurmuar nga afër autorët e komplotit, Pierre arriti të gjejë Chaubart, të cilin pasi e tërhoqi atë në Ponts des Arts, e vrau me gjakftohtësi. Kur policia gjeti trupin e tij, vërejti një detaj rrëqethës. Doreza e kamës me të cilën ai ishte goditur në zemër, mbante mbishkrimin “Numri 1”.
Më pas Pierre përdori informatorët e tij për të ndjekur Solarin; ndërsa nisi të hartojë planin kundër Loupian. Ai punësoi një kriminel të ri të pashëm, dhe e shndërroi atë në një pasardhës të rremë të aristokracisë italiane: princin e Korlanos.
Duke marrë udhëzime të sakta, bashkëpunëtori u afrua, e joshi dhe la shtatzënë vajzën e Loupian. Shtatzënia jashtë martese, ishte një problem serioz për imazhin e Loupian, tashmë një anëtar i shquar i komunitetit parizian, dhe duke pasur parasysh prejardhjen e lartë të dhëndrit, u ra dakord që të zhvillohej dasma.
Ceremonia u mbajt në restorantin Loupian. Gjatë banketit, princi i Korlanos i dërgoi secilit prej 150 të ftuarve një shënim, në të cilin ai zbulonte identitetin e tij kriminal. Duke çnderuar vajzën e tij, Pierre i dha një goditje të rëndë moralit të mikut të tij, por nuk u mjaftua me kaq.
Ai ia doli të mashtronte të birin e Loupian, duke e futur në një rreth miqsh të shthurur. Disa ditë më vonë, policia e gjeti të riuntë dehur në vendin e krimit të një vjedhjeje.
Gjithçka vazhdoi sipas planit dhe pasi gjeti vendndodhjen e Solari, Pierre u përgatit për aktin e fundit. Por përpara se të ekzekutonte objektivin e dytë, ai u kujdes që të çonte deri në fund rrënimin financiar të Loupian, duke i vënë zjarrin restorantit të tij. Me vajzën shtatzënë me një kriminel, me djalin e arrestuar, dhe me të shoqin të poshtëruar, Marguerite vdiq e traumatizuar.
Duke treguar solidaritet me punëdhënësin e tij, “kuzhinieri” Lucher u tregua i gatshëm ta ndihmonte të rimëkëmbej financiarisht. I lumtur që në mesin e asaj serie fatkeqësish dikush donte ta mbështeste, Loupian nuk ishte në dijeni që në realitet, Pierre kishte bërë një marrëveshje sekrete me vajzën e tij, për ta ndihmuar ish-mikun e tij, në këmbim të shërbimeve seksuale.
Zemërimi i këpucarit po i afrohej epilogut. Ai helmoi Solarin, në arkivolin e të cilit u gjet e gdhendur fjala“Numri 2”,dhe duke e vazhduar inskenimin vrau më në fund Loupian-in gjatë një shëtitjeje natën në kopshtin Tuileries. I frikësuar se mos ishte viktima e radhës, Allut e rrëmbeu dhe e shantazhoi Pierre.
Tashmë i kënaqur me hakmarrjen e tij, këpucëtari e refuzoi kërkesën për t’idhënë para në këmbim të lirisë, ndaj Allut nuk pati zgjidhje tjetër veçse ta vriste. Policia e asaj kohe nuk mundi të gjente dot autorin e asaj serie misterioze vrasjesh. Por në vitin 1828 Allut, që strehohej në Londër, vendosi të rrëfente gjithçka në prag të vdekjes.
Para një prifti francez, ai e tregoi historinë me shumë detaje. I impresionuar thellë nga brutaliteti i historisë, kleriku shkroi një relacion, të cilën ia dërgoi një drejtuesit të policisë së Parisit. Pikërisht në arkivat e policisë e mësoi këtë histori edhe shkrimtari Alexandre Dumas, që e përshtati në romanin e tij të famshëm “Konti i Montekristos”. / VanillaMag – Bota.al