UBT News

Hakerët rusë sulmojnë përsëri agjencitë e ShBA-së

Microsoft paralajmëroi se hakerat rusë që dyshohet të jenë prapa sulmit katastrofik SolarWinds vitin e kaluar, kanë nisur një sulm tjetër kibernetik. Kjo po ndodhë tri javë para se presidenti Joe Biden të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Microsoft tha se grupi i njohur si Nobelium, kishte shënjestruar mbi 150 organizata në të gjithë botën javën e fundit, duke përfshirë agjencitë qeveritare, konsulentët dhe organizatat joqeveritare. Ata dërguan email ‘phishing’ – mesazhe mashtrimi për të shtyrë njerëzit që të dorëzojnë informacione të ndjeshme ose për të shkarkuar programe të dëmshme – në më shumë se 3 mijë llogari email, tha gjigandi i teknologjisë.

Të paktën 25% e organizatave të synuara janë të përfshira në zhvillimin ndërkombëtar, punën humanitare dhe të drejtat e njeriut, tha Tom Burt, nënkryetari i Microsoft për sigurinë dhe besimin e klientit. Organizatat në të paktën 24 vende ishin në shënjestër, tha Microsoft, me ShBA-të që morën pjesën më të madhe të sulmeve.

Kjo shkelje vjen një muaj pasi qeveria amerikane tha në mënyrë të qartë se hakimi SolarWinds u krye nga SVR e Rusisë, një pasardhës i operacioneve të huaja të spiunimit të KGB Sovjetike.

Kremlini tha të premten se nuk ka ndonjë informacion mbi sulmin kibernetik dhe se Microsoft duhet t’i përgjigjet pyetjeve duke përfshirë mënyrën se si ky sulm është i lidhur me Rusinë.

Microsoft tha se është në proces të njoftimit të klientëve të cilët janë shënjestruar.

Steve Forbes, një ekspert qeveritar i sigurisë kibernetike, përshkroi rreziqet e këtyre llojeve të hakimeve.

“Nëse ata synojnë 3 mijë llogari, duhet vetëm një punonjës të klikojë në lidhjen për të krijuar një ‘derë të pasme’ për hakerat në një organizatë qeveritare”, deklaroi ai.

Sulmi i SolarWinds, i zbuluar në dhjetor, u dha hakerave akses në mijëra kompani dhe zyra qeveritare që përdorën softuerin SolarWinds IT.

Presidenti i Microsoft, Brad Smith, e përshkroi atë sulm si “sulmin më të madh dhe më të sofistikuar që ka parë bota”.

Exit mobile version