Ueb-faqe të ndryshme të institucioneve shtetërore e private të Shqipërisë kanë rënë pre e një sulmi kibernetik, që dyshohet të jetë bërë nga hakerë pro-rusë. Kjo informatë ka dalë nga një kanal në Telegram.
Sulmi, sipas njoftimit të bërë nga grupi me emrin “NoName057(16)”, një grup hakerësh pro-rusë, thuhet se ka ndodhur për shkak të rreshtimit të Shqipërisë përkrah Ukrainës në luftën e saj për të dëbuar pushtuesit rusë nga territori i vet.
“Shqipëria është bërë një tjetër vend që ka vendosur t’i bashkohet deklaratës së vendeve të G7 për sigurinë e neonazistëve ukrainas. Autoritetet shqiptare i kanë dorëzuar tashmë Ukrainës 22 transportues të blinduar dhe predha mortajash”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e këtij grupi.
Ata po ashtu lanë edhe një mesazh tjetër në lidhje me Kosovën.
“Ju kujtojmë se Kosova është Serbi dhe ne do të shkatërrojmë infrastrukturën shqiptare të internetit”.
Në fund, grupi ka kërkuar “vëllezër serbë” për t’u dalë në ndihmë në misionin e tyre.
Deri tani, sipas grupit, faqet e sulmuara dhe që janë jashtë funksionit, janë këto:
- Parlamenti Shqiptar
- Autoriteti Portual Durrës
- Uebfaqja e qytetit të Tiranës
- Dega shqiptare e Raiffeisen Bank Albania
- Banka e Bashkuar e Shqipërisë.
Kush është grupi NoName057(16)?
NoName057(16) është një grup hakerësh pro-rusë që u deklarua fillimisht në mars 2022 dhe mori përgjegjësinë për sulmet kibernetike në uebsajtet ukrainase, amerikane dhe evropiane të agjencive qeveritare, mediave dhe kompanive private. Ai konsiderohet si një grup aktivist i paorganizuar dhe i lirë pro-rus që kërkon të tërheqë vëmendjen në vendet perëndimore, sipas “Wikipedia”.
Sulmet e para të pretenduara nga grupi në mars 2022 ishin sulmet DDoS të cilat synonin faqet e internetit të lajmeve dhe mediave të Ukrainës “Zaxid”, “Fakty UA” dhe të tjerë. Në përgjithësi, motivimet përqendrohen për të heshtur atë që grupi e konsideron si anti-ruse.
NoName057(16) funksionon duke përdorur kanale në rrjetin social rus Telegram ku ata marrin përgjegjësinë për sulmet e tyre, tallen me objektivat, bëjnë kërcënime dhe ndajnë përmbajtje edukative. Ata kanë përdorur GitHub për të “host”-uar uebsajtin e tyre të veglave DDoS dhe pjesët tjera të lidhura. Grupi ka zhvilluar një mjet DDoS të quajtur DDOSIA, i cili kryen sulme që vë jashtë funksionit ueb-faqet e synuara./Klankosova.tv