Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën se si funksionon arsimi, tregu i punës dhe vetë universitetet, ndërsa profesionet dhe aftësitë që kërkohen në të ardhmen po evoluojnë vazhdimisht. Në këtë realitet të ri teknologjik, institucionet akademike po përballen me nevojën e pashmangshme për të krijuar modele më fleksibile dhe më inovative.
Në kuadër të “Përballje Podcast” në Telegrafi, themeluesi dhe rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se UBT tashmë është duke zhvilluar modele të reja të arsimit digjital, të mbështetura tërësisht në inteligjencën artificiale, teknologjitë virtuale dhe konceptet e së ardhmes. Sipas tij, universitetet nuk mund të funksionojnë më vetëm në formatin tradicional, pasi tregu global i punës po kërkon kompetenca të reja në fusha si AI, fintech, blockchain, cybersecurity, smart cities dhe transformim digjital.
“Ne duhet t’i përgatisim studentët për kompetencat e së ardhmes dhe për profesionet që po krijohen nga zhvillimet e reja teknologjike. Kemi punuar shumë në krijimin e gjithë platformës së integruar me inteligjencë artificiale, ku studenti mund ta ketë një profesor të bazuar në AI, i cili është në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, deklaroi rektori Hajrizi.
Ky model avangardë u mundëson studentëve të marrin mbështetje të personalizuar, shpjegime dhe komunikim interaktiv në çdo kohë, duke rritur ndjeshëm produktivitetin dhe cilësinë e mësimit. Gjatë kësaj interviste, rektori Hajrizi shpalosi edhe konceptin e “Virtual Campus”, që përfaqëson një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të UBT-së për vitet e ardhshme.
“Ne po ndërtojmë një institucion virtual me ‘AI-based solutions’, ku studenti hyn në klasë dhe e përjeton sikur është në amfiteatër fizik, por në format virtual. Një student nga Afrika, Amerika apo Azia mund ta përjetojë të gjithë infrastrukturën dhe interaktivitetin e universitetit pa qenë fizikisht këtu”, u shpreh ai.
Për më tepër, UBT po vazhdon të investojë fuqishëm në laboratorë modernë dhe programe të reja akademike të lidhura me teknologjinë. Hajrizi përmendi edhe zhvillimet në fusha si fintech, smart agriculture, e-health, digjitalizimi i shërbimeve dhe qytetet e mençura, duke shtuar se institucioni po funksionon si një “Future Lab” – një laborator i së ardhmes ku testohen dhe zhvillohen prototipe e zgjidhje inovative me impakt global.
Në përmbyllje, rektori Hajrizi nënvizoi se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për inovacion për shkak të moshës së re të popullsisë. Megjithatë, ai potencoi se mbetet thelbësor bashkëpunimi i ngushtë mes universiteteve, sektorit privat dhe shtetit për të jetësuar një digjitalizim më të shpejtë dhe më efikas të arsimit në vend. /Telegrafi/
