Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albian Hajdari, është larguar nga grumbullimi i Dardanëve në Debrecen, pasi nuk ka arritur të rikuperohet në kohë nga lëndimi për dy ndeshjet e ardhshme ndaj Izraelit dhe Austrisë.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për rikuperimin e tij, Hajdari nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për këto dy përballje.
Ndërkohë, për arsye familjare, përkohësisht nga grumbullimi është liruar edhe mesfushori Leon Avdullahu, i cili pritet t’i bashkohet ekipit sa më shpejt që të jetë e mundur.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit e Kosovës.
D.L
