UBT News

Hagë: Shtyhet afati për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata bëri të ditur se për shkak të kompleksitetit të lartë të çështjes, Paneli Gjyqësor ka vendosur ta shtyjë afatin edhe për 60 ditë të tjera.

Sipas vendimit të ri, afati i fundit për shpalljen e aktgjykimit është caktuar data 20 korrik 2026. Gjykata sqaroi se kjo datë nuk shënon domosdoshmërisht ditën e shpalljes së vendimit, por përfaqëson kufirin e ri kohor brenda të cilit pritet të jepet verdikti. Paneli Gjyqësor la të hapur mundësinë për një tjetër shtyrje, nëse kjo vlerësohet si “absolutisht e nevojshme” në të ardhmen.

Ky proces gjyqësor, i cili nisi zyrtarisht më 3 prill 2023, ka hyrë në fazën finale pasi palët dhanë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt. Katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim prej vitit 2020, janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, duke mohuar çdo pretendim të Prokurorisë. Tashmë, sytë e opinionit publik janë kthyer nga Haga, në pritje të një vendimi që do të vulosë njërën prej çështjeve më të rëndësishme gjyqësore të pasluftës në Kosovë.

Exit mobile version