UBT News

Hagë: Dita e dytë e deklaratave përfundimtare (Lajm në zhvillim)

Laws: Njerëzit u rrëmbyen mbi bazën e thashethemeve

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws gjatë deklaratës së tij përfundimtare në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së, ka thënë se nuk ka pasur përpjekje serioze për identifikimin e personave që ishin bashkëpunëtor.

“Nuk janë bërë përpjekje serioze për të identifikuar së cilët persona ishin bashkëpunëtor, njerëzit janë rrëmbyer mbi bazën e asaj që ishte thjeshtë një thashetheme. Është e vështirë të besosh që dikush mund të humbasë lirin e më pas jetën me një bazë të tillë”, tha mbrojtësi Laws.

Megjithatë, ai shtoi se shumë prej viktimave u keqtrajtuan dhe se nuk pati një proces të drejt ligjor.

“Nuk pati absolutisht proces të drejtë ligjor e që në fakt është fillimi i hetimit të një akuze”, tha ai

 

Prokuroria: Veseli nuk i parandaloi krimet

Gjatë fjalëve përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Kadri Veselit, prokurori Matt Halling deklaroi se mosangazhimi i Veselit për të parandaluar dhe ndëshkuar krimet përbën një nga elementet të aktakuzës ndaj tij.

Sipas Halling, Veseli, në rolin e tij në Shtabin e Përgjithshëm nuk ka përmbushur detyrimet si epror përgjegjës, pavarësisht faktit se në periudha të caktuara nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë.

“Mosangazhimi i Kadri Veselit për të parandaluar dhe për të ndëshkuar krimet në rolin që ka mbajtur është një kontribut që i takon aktakuzave të ngritura. Mungesa e tij në Kosovë nuk e ndryshon situatën, pasi Veseli mund të ushtronte kompetencat e tij në Kosovë, kudo që të ishte dhe kurdo që të dëshironte,” tha prokurori Matt Halling.

 

Opinionet e mbrojtjes së Thaçit nuk kanë peshë

Prokurori Matt Halling gjatë fjalës përfundimtare para trupit gjykues në Hagë ka folur për mbrojtjen e Thaçit, duke thënë se dëshmitarët nuk kishin informacione bazë dhe se opinionet e tyre nuk duhet marrë parasysh.

“Mbrojtja e Thaçit mbështete në përshtypjet e dëshmitarëve të vetë (Wesley Clark dhe James Rubin), por ata nuk kishin informacionet bazë për t’u marrë parasysh dhe rrjedhimisht këto opinione nuk duhen të kenë asnjë peshë. Mbrojtja  e Thaçit pretendon se nuk kishte asnjë detyrim t’u referonte krimeve ndërkombëtarëve sepse ata tashme ishin në dijeni”, ka thënë prokurori i Zyrës Speciale.

Tutje, Matt Halling deklaron se Thaçi ishte i aftë të “maskonte” realitetin dhe  kjo ka ndikuar në botëkuptimin e dëshmitarëve për ta kuptuar të vërtetën.

“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”, sipas Halling

Ish-zëdhënësi i Stejt Departamentit, James Rubin, si dhe komandanti i NATO-s, Wesley Clark, me dëshmitë e tyre, i kanë dhënë vulën mbrojtjes së luftës së drejtë të UÇK-së dhe drejtuesve të saj. Ndaj, prokuroria po i sulmon dëshmitë e tyre me kaq ngulm.

Exit mobile version