Trajneri i Borussia Dortmund, Marco Rose është optimist që Erling Haaland do të rikthehet nga lëndimi këtë vikend, por ka treguar që nuk do të rrezikojë që ta inkuadrojë yllin e tij.
Haaland ka munguar në tre ndeshjet e fundit të Dortmundit për shkak të një lëndimi në muskul, ku po ashtu mungoi edhe në ndeshjet e fundit të Norvegjisë.
Tani, Haaland është shumë pranë rikthimit, ku skuadra e tij Dortmundi është duke u përgatitur për ndeshjen e këtij vikendi kundër Mainz.
“Një nga një, djemtë janë duke u rikthyer. Në fakt, ne ende nuk i kemi datat e rikthimeve për disa lojtarë të caktuar. Haaland i është bashkuar stërvitjeve me ekipin. Do ta shohim si qëndron situata të dielën. Ne do të provojmë çdo gjë, dhe Erling dëshiron të luajë me çdo kusht. Por, koha është duke kaluar, nuk kemi shumë kohë”, tha Rose.
“Do ta shohim si do të jetë në vikend. Nuk do të ankohemi, do të jemi të lumtur me çdo gjë të mundshme. Nëse Haaland nuk është i gatshëm që të fillojë në fushë, ai do të jetë në bankën rezervë. Nuk do të jetë problem”, shtoi trajneri i Dortmundit.
Në këtë sezon, në pesë ndeshje të zhvilluara për Dortmundin, Erling Haaland ka regjistruar shtatë gola dhe katër asistime mbi emrin e tij.