UBT News

Haaland: Kjo është histori, Norvegjia realizoi ëndrrën e Botërorit

Ylli i Norvegjisë, Erling Haaland, nuk e fshehu emocionin pas fitores 2:1 ndaj Bregut të Fildishtë, sukses që i siguroi përfaqësueses norvegjeze kualifikimin historik në 1/8 e finales të Kupës së Botës.

Haaland ishte vendimtar, duke shënuar golin e fitores në minutën e 86-të dhe duke e dërguar Norvegjinë për herë të parë në histori në fazën me eliminim direkt të Botërorit.

“Kjo është e pabesueshme, kjo është histori”, deklaroi Haaland pas ndeshjes.

Edhe Antonio Nusa, autor i golit të parë të Norvegjisë dhe lojtari më i mirë i ndeshjes, e cilësoi arritjen si një moment të veçantë.

“Është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë mirënjohës që jam këtu dhe që e kam ndihmuar Norvegjinë të shkruajë historinë”, u shpreh Nusa.

Përzgjedhësi i Norvegjisë, Ståle Solbakken, vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij, por njëkohësisht pranoi se përballja ishte shumë e vështirë.

“Në përgjithësi ishte një fitore e merituar. Megjithatë, kam keqardhje për trajnerin e tyre, sepse dallimi ishte shumë i vogël. Është e vështirë të përshkruhet me fjalë kjo arritje”, tha Solbakken.

Ai pati fjalë vlerësimi edhe për Bregun e Fildishtë, duke theksuar se përfaqësuesja afrikane dominoi në disa duele fizike dhe e vështirësoi maksimalisht ndeshjen.

Antonio Nusa kishte kaluar Norvegjinë në epërsi me një supergol në minutën e 39-të, ndërsa Amad Diallo barazoi shifrat në minutën e 74-të. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Haaland realizoi golin vendimtar në minutën e 86-të, duke i dhënë Norvegjisë një fitore historike.

Me këtë gol, sulmuesi i Manchester Cityt arriti në kuotën e pesë golave në këtë Botëror, vetëm një më pak se Lionel Messi, që kryeson listën e golashënuesve me gjashtë.

Në minutat shtesë, Bregu i Fildishtë ishte pranë barazimit, por portieri Ørjan Nyland bëri një pritje vendimtare ndaj goditjes së Diallos, duke ruajtur avantazhin e norvegjezëve.

Në 1/8 e finales të Kupës së Botës, Norvegjia do të përballet me Brazilin më 5 korrik, në një tjetër sfidë historike për skandinavët.

D.L

Exit mobile version