UBT News

Haaland bëhet ‘mbret i tregut’, vlera 200 milionë euro

Erling Haaland ka bërë histori në botën e futbollit duke e thyer rekordin e vlerës më të lartë në treg. Sulmuesi norvegjez, që aktualisht luan për Manchester City, është vlerësuar 200 milionë euro nga faqja e specializuar për vlerësimin e lojtarëve, Transfermarkt, një shifër që asnjë lojtar tjetër nuk e ka arritur ndonjëherë.

Kjo vlerë e jashtëzakonshme e bën Haalandin lojtari më i vlefshëm në histori, duke e tejkaluar edhe emra legjendarë si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, të cilët asnjëherë nuk arritën të arrinin një vlerë të tillë. Deri tani, vlera e Haalandit kishte qenë 180 milionë euro, por paraqitjet e tij të shkëlqyera në këtë sezon kanë kontribuar në rritjen dramatike të saj.

Ish-futbollisti i Salzburgut dhe Borussia Dortmundit ka shënuar 10 gola në 6 ndeshje të zhvilluara në Premierligë dhe ka shtuar një tjetër gol në Ligën e Kampionëve, duke demonstruar një formë të jashtëzakonshme. Me vetëm 24 vjet, Haaland është duke e treguar veten si një nga sulmuesit më dominues në botë.

Aktualisht, Haaland ka një kontratë me Manchester City deri në verën e vitit 2027, por spekulimet për një kalim të mundshëm në klubet e tjera, përfshirë Real Madridin, janë të shumta. Klubi spanjoll ka shfaqur interes për të, duke synuar ta sjellë atë në “Santiago Bernabeu” në vitet në vazhdim.

Pas tij, me vlerë 180 milionë euro, qëndrojnë tre yje të tjerë të Real Madridit: Kylian Mbappé, Vinicius Junior dhe Jude Bellingham. Vlera e këtyre lojtarëve gjithashtu mund të rritet në varësi të paraqitjeve të tyre në fushë. Madje, Vinicius mund të arrijë nivelin e 200 milionëve nëse fiton Topin e Artë, ku është konsideruar favorit absolut.

Rritja e vlerës së Haalandit është një dëshmi e talentit dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme, duke e vendosur atë në majën e futbollit botëror dhe duke e bërë një nga lojtarët më të kërkuar në tregun e transferimeve./UBTNews/

 

Exit mobile version