Portieri legjendar i Meksikës, Guillermo Ochoa, ka njoftuar tërheqjen nga futbolli profesionist, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme që zgjati 22 vjet.
41-vjeçari kishte bërë të ditur më herët largimin nga Kombëtarja e Meksikës, por kishte lënë të hapur mundësinë për të vazhduar të luante në nivel klubesh. Megjithatë, ai ka vendosur t’i japë fund përfundimisht karrierës së tij.
“Kam dhënë çdo gjë. Kam lënë gjithçka në fushë për klubet ku kam luajtur dhe për ekipin kombëtar. Sot i var dorezat e mia”, shkroi Ochoa në mesazhin e tij të lamtumirës.
Ochoa do të mbahet mend si një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit meksikan. Ai mori pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës, një arritje që e ndajnë vetëm Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Në Botërorët e Brazilit 2014, Rusisë 2018 dhe Katarit 2022 ai ishte portieri titullar i Meksikës, duke dhuruar paraqitje që mbeten ndër më të mirat në historinë e turneut.
Karrierën e nisi te Club América, ndërsa më pas ndërtoi një rrugëtim të suksesshëm edhe në futbollin evropian, ku mbrojti ngjyrat e Ajaccio, Málaga, Granada, Standard Liège, Salernitana dhe disa klubeve të tjera.
Me pensionimin e Ochoas, futbolli humbet një prej portierëve më karizmatikë dhe më të spikatur të dy dekadave të fundit, i njohur për refleksin e jashtëzakonshëm dhe paraqitjet mbresëlënëse në skenën më të madhe të futbollit botëror.
D.L
