Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres tha se qëllimi i kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius është “mbështetja e jetës në tokë”, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Ai tha se samiti për klimën COP-26 që po mbahet në Skoci ndoshta nuk do të rezultojë me premtimet e qeverive që të bëjnë uljen e mjaftueshme të emetimeve të gazrave serrë, por shefi i OKB-së tha se deri në momentin e fundit “ekziston shpresa”.
Para përfundimit të samitit më 12 nëntor, është rritur presioni ndaj qeverive për të arritur një marrëveshje kuptimplote për klimën.
Shkencëtarët thonë se kufizimi i rritjes së temperaturës globale në 1.5 Celcius do të ndihmojë njerëzimin të shmangë ndikimet më të këqija klimatike, raporton euronews.al.
Në Paris në vitin 2015, liderët botërorë u zotuan të parandalojnë ngrohjen globale në botë në 1.5 gradë Celsius përmes reduktimeve të emetimeve të gazrave serrë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shtoi se premtimet për të reduktuar emetimet janë të pakuptimta derisa vendet vazhdojnë të investojnë në lëndët djegëse fosile.
Drafti i parë i një marrëveshjeje të samitit të klimës COP26 është publikuar ditën e djeshme.
Ai u kërkon vendeve të forcojnë planet e tyre klimatike deri në fund të vitit të ardhshëm dhe për herë të parë bën thirrje për heqjen graduale të subvencioneve të qymyrit dhe karburanteve fosile.