Palmer ishte njëri nga lojtarët më të mirë të “Bluve” në barazimin 4-4 në derbin e mes Chelseat dhe Manchester Cityt, ndërsa pas ndeshjes, Guardiola ka zbuluar bisedën e tij me Palmer.
Palmer zgjodhi t’i bashkohej Chelseat në ditën e fundit të afatit kalimtar veror për 42.5 milionë funte, duke u larguar nga City pasi shënoi gola në finalet e Community Shield dhe UEFA Super Cup.
Me tre gola dhe katër asistime në 10 ndeshjet e tij të para për ekipin e tij të ri këtë sezon, ai ka treguar se çfarë ka humbur City.
Guardiola pranoi se kishte këmbëngulur për ta mbajtur lojtarin në skuadrën e tij, por ishte Palmer ai që kishte vendosur që të largohej.
“Cole ishte mirë tek ne dhe po kalonte një proces të rritjes së tij, por një ditë erdhi dhe tha ‘Jo, nuk dua të luaj këtu, nuk do të luaj’. Por unë i thashë ‘Riyad Mahrez po largohet, ju do të keni më shumë shanse këtu’ dhe ai tha ‘Jo, nuk do të luaj këtu, dua të largohem’, kështu që thashë ‘OK, largohu’ “, shpjegoi Guardiola. “Ai mori atë që donte. Është mirë për të. Ai është një lojtar i ri, një talent i madh përndryshe nuk do të kishte qenë këtu. Ai është një djalë i mirë dhe po bën shumë mirë”, shtoi Guardiola.