Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thënë që nëse skuadra e tij nuk do të jetë e fokusuar në 90’ minutat e mbetur kundër Real Madridit në “Santiago Bernabeu” atëherë nuk do të kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve.
Kampioni anglez e mposhti mbrëmë me rezultat të ngushtë 4:3 Real Madridin në “Etihad”, në një ndeshje e cila ishte spektakël për çdo tifozë të futbollit.
Ndërkaq, me rikthimin e Casemiros në skuadër të Realit për ndeshjen e kthimit, Guardiola ka thënë që Cityt i duhet të jetë në formën më jetësore në mënyrë që të sigurojë biletën drejt Parisit.
“Pavarësisht rezultatit, nëse do të ishte 2:0 apo 3:0 neve përsëri do na duhej që të shkojmë në Bernabeu dhe të luajmë mirë. Nëse luajmë siç bëmë në pjesën e dytë, ne nuk do të mund të fitojmë”, tha Guardiola.
“Ne bëmë çdo gjë për të fituar dhe me besim të madh, me apo pa top. Futbolli është futboll, rezultati është rezultat, por paraqitja jonë është e mrekullueshme. Askush nuk mund të thotë që nuk kishim paraqitje të mirë. E dimë që na duhet të rrisim nivelin për të arritur në finale por kjo garë e kërkon atë gjë. Në fund, ndoshta shanset që ne i krijojmë duhet edhe t’i realizojmë”, shtoi më tej trajneri spanjoll.
Manchester City do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit në rolin e mysafirit kundër Real Madridit, ku më 4 maj të dy skuadrat do të përballen në stadiumin “Santiago Bernabeu” me synimin e vetëm për tasiguruar biletën drejt finales së Ligës së Kampionëve.