Trajneri spanjoll, Pep Guardiola ka insistuar që Manchester City nuk mund të përballojë asnjë dështim nëse dëshiron që ta mposht Liverpoolin në garën për titull.
Pas fitores 5:0 kundër United, Liverpooli u ngjit në pozitën e parë në tabelë, por me fitoren e mbrëmshme 3:0 kundër Brightonit, Manchester City rikthehen kreun e tabelës.
Ndërkaq kur kanë mbetur edhe disa ndeshje për t’u mbyllur sezoni aktual, Guardiola mendon që edhe një barazim mund t’i kushtojë skuadrës së tij që ta humb garën e titullit me Liverpoolin, ndërsa këtë të fundit e cilësoi si njërën nga skuadrat më të mira në histori të futbollit.
“Kemi edhe gjashtë ndeshje të mbetura dhe nëse i fitojmë të gjitha ne jemi kampion. Nëse nuk i fitojmë të gjitha ndeshjet, Liverpooli do të jetë kampion, është e thjeshtë”, tha Guardiola.
“Liverpooli është njëra nga skuadrat më të mira në histori të futbollit. Njëra nga më të mirat e të gjitha kohërave. Lojtarët e dinë këtë gjë. Është mëkat që nuk fituam këtu kundër tyre sepse ne ishim më të mirë. Tani nuk e kemi mundësinë që të humbim diçka”, shtoi më tej trajneri i Cityt.
Liverpooli dhe Manchester City janë duke e vazhduar rivalitetin e tyre të ashpër për tituj edhe këtë sezon, ku gjenden në garë së bashku për titullin e Premier Ligës dhe atë të Ligës së Kampionëve.