UBT News

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore: Partitë politike të rrisin përfaqësimin e grave në zgjedhjet lokale 2025

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) u bën thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të respektojnë obligimet e tyre sipas Ligjit për Barazi Gjinore dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të rritur emërimin, fuqizimin dhe përkrahjen e kandidateve gra, veçanërisht për pozitat e kryetareve të komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në reagimin e tyre thuhet se “edhe pse korniza ligjore zgjedhore në fuqi parasheh vetëm një kuotë gjinore prej 30% për listat zgjedhore, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të partive politike që të udhëhiqen nga fryma e Kushtetutës dhe Ligjit për Barazi Gjinore dhe të paraqesin lista kandidatësh të bazuara në barazinë gjinore”.

“Megjithatë, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, vetëm 2 nga 38 kryetarë komunash të zgjedhur ishin gra, ndërsa gratë përbëjnë vetëm 16% të anëtarëve të kuvendeve komunale, duke theksuar barrierat strukturore të vazhdueshme për udhëheqjen dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje politike. Ky nën-përfaqësim jo vetëm që bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe Ligjit për Barazi Gjinore, por paraqet edhe një mundësi të humbur për zhvillim demokratik dhe gjithëpërfshirës të Kosovës”, vijon reagimi.

Sipas tyre gratë sjellin perspektiva thelbësore, udhëheqje dhe zgjidhje për sfidat me të cilat përballen komunat nga siguria në komunitet tek arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik.

Mes tjerash, thuhet se Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bën thirrje të gjitha partive politike që të shkojnë përtej kërkesave minimale ligjore dhe të nominojnë në mënyrë proaktive, të promovojnë dhe fuqizojnë gratë si kandidate në nivel lokal./Telegrafi

Exit mobile version