Grumbullimi i Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve do të zgjasë plot 16 ditë. “Dardanët” do të qëndrojnë në grumbullim nga 21 shtatori deri më 6 tetor, periudhë gjatë së cilës do t’i zhvillojnë katër ndeshje.
Kosova do ta nisë këtë cikël më 24 shtator, kur në Prishtinë do ta presë Irlandën. Vetëm tri ditë më vonë, më 27 shtator, skuadra kosovare do të përballet me Austrinë në Vjenë.
Më 1 tetor, Kosova do të udhëtojë drejt Hungarisë, ku do të luajë ndaj Izraelit, ndërsa ciklin e ndeshjeve do ta përmbyllë më 4 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri”, sërish kundër Austrisë.
Kohëzgjatja e pazakontë e grumbullimit lidhet me një modifikim të kalendarit ndërkombëtar të miratuar nga FIFA në vitin 2023. Ky ndryshim po zbatohet për herë të parë në Ligën e Kombeve pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
D.L
