UBT News

Gruda i përgjigjet Konjufcës: Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor është për përfundimin e konstituimit, jo vetëm për nisjen e tij

Pas deklaratave të ministrit në detyrë Glauk Konjufca lidhur me ecurinë e seancës konstituive, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e cilësuar të qartë vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe duke kundërshtuar pretendimet për kërkimin e interpretimeve të reja.

Përmes një reagimi publik, deputeti i PDK-së i ka rikujtuar Konjufcës se Gjykata Kushtetuese shërben për interpretimin e vetë Kushtetutës dhe jo për interpretimin e aktgjykimeve të saj ekzistuese.

“Glauk Konjufca, në Gjykatën Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën, jo për të interpretuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të ishte të kërkoje interpretim mbi interpretimin”, shkruna Gruda.

Në reagim përmendet konkretisht Aktgjykimi KO124/25, ku sipas deputetit opozitar, Gjykata e ka përcaktuar qartë se afati prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve është i prerë për përmbylljen e procesit.

“Gjykata, në Aktgjykimin KO124/25, e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, e jo vetëm ta fillojë atë, siç po pretendon ti”, thuhet tutje nër reagimin e deputetit Gruda.

Për të fuqizuar qëndrimin, ai ka cituar edhe paragrafin 140 të këtij aktgjykimi:

Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.”

Reagimi përmbyll duke ngritur pyetjen mbi nevojën e dërgimit të sërishëm të çështjes në Kushtetuese, kur sipas tij vendimi është plotësisht i qartë.

“Pra, kjo çështje është interpretuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe është interpretuar qartë. Çfarë po kërkon të dërgojmë edhe një herë në Gjykatë? Që Gjykata ta interpretojë interpretimin e vet?”, sipas Grudes.

 

Exit mobile version