Gruaja e Michael Schumacher ka folur për herë të parë në detaje për gjendjen shëndetësore të legjendës së Formula 1 pas aksidentit tragjik që e la në koma, rreth tetë vjet më parë.
Kampioni i shtatëfishtë nuk u pa në publik që kur përjetoi dëmtimin pothuajse fatal në tru gjatë skiimit në vendpushimin francez të Meribel, në dhjetor të vitit 2013. Gruaja e tij u përkujdes që gjendja e tij shëndetësore të mbahet private.
Duke folur në dokumentarin e ri të Netflixit për legjendën e F1, “Schumacher”, që tregon rrugëtimin e tij në karrierë, bashkëshortja e tij shpërtheu në lot për incidentin që ia ndryshoi jetën përgjithmonë asaj dhe familjes. Corinna zbuloi edhe fjalët e fundit të tij para aksidentit.
“Para se të shkojmë në Meribel më tha, “Bora nuk është optimale. Mund të shkojmë në Dubai dhe të shëtisim me parashutë atje. Asnjëherë s’e kam fajësuar Zotin për këtë çfarë ndodhi. Ishte fat i keq, madje fati më i keq që dikush mund ta ketë në jetë”, deklaroi ajo.
“Natyrisht, më mungon dhe jo vetëm mua. Fëmijët, familja, babai i tij, çdokush e ndjen mungesën e tij”, deklaroi ai.
Corinna e mbrojti bashkëshortin e saj shumë që nga aksidenti dhe zbuloi se si familja, saktësisht fëmijët janë përballur me situatën traumatike gjatë tetë viteve të fundit.
“Michael është këtu. Ndryshe, por këtu, dhe kjo na jep forcë. Ne jemi bashkë. Jetojmë bashkë. Marrim terapi. Po bëjmë gjithçka që ai të jetë mirë”, deklaroi ajo mes tjerash në dokumentarin që pritet të lansohet javën e ardhshme, ku ka edhe intervista dhe pamje të rralla të legjendës./UBTNews