Antoine Griezmann ka shpallur një vendim të papritur për të dalë përfundimisht nga Kombëtarja e Francës, duke përfunduar kështu një eksperiencë të gjatë dhe të suksesshme 10-vjeçare me “Trekolorët”.
Në një postim të tij në Twitter, sulmuesi i Atletico Madridit zbuloi vendimin sot në mëngjes, përpara ndeshjeve të planifikuara të “Les Bleus” në tetor kundër Izraelit dhe Belgjikës. Griezmann, i cili ka luajtur në gjashtë turne të mëdhenj me ekipin kombëtar, ka lënë një gjurmë të thellë në historinë e futbollit francez.
Në postimin e tij, ai shprehu mirënjohjen për aventurën e tij me Kombëtaren: “Me zemrën plot me kujtime, vendosa që ta mbyll këtë etapë të jetës sime. Faleminderit për këtë aventurë magjike me ‘Trekolorët’ dhe shihemi së shpejti.”
Griezmann ka qenë një figurë kyçe për Francën, duke kontribuar në fitimin e Botërorit 2018, ku shënoi katër gola dhe asistoi për shumë të tjerë. Ai gjithashtu ishte pjesë e skuadrës që arriti në finale të Botërorit 2022 në Katar, duke u bërë një nga lojtarët më të njohur dhe të respektuar në historinë e kombëtares.
Gjatë karrierës së tij me Kombëtaren, Griezmann ka shënuar gjithsej 44 gola në 137 ndeshje, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme për pasardhësit e tij. Largimi i tij përbën një humbje të madhe për ekipin, por gjithashtu tregon përkushtimin e tij për të kaluar në një fazë të re në karrierën e tij futbollistike.
Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë e ardhmja për Griezmann, por pas një dekade të suksesshme me “Trekolorët”, ai do të kujtohet gjithmonë si një nga heronjtë e futbollit francez./UBTNews/