UBT News

Grevë e përgjithshme në Serbi

Më 24 janar, të premten, Serbia ka hyrë në një grevë të përgjithshmem një formë e mosbindjes civile  e organizuar nga studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme.

Nga nëntori i vitit të kaluar studentët e punonjësit arsimor po protestojnë pas një ngjarje tragjike në qytetin e Novi Sad-it ku humbën jetën 15 persona si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi të trenit në këtë qytet.

Të mërkurën, studentët në bllokadë u bënë thirrje qytetarëve serbë që t’i pezullojnë plotësisht të gjitha aktivitetet më 24 janar.

Siç thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e tyre zyrtare në Instagram, ideja është që qytetarët të mos shkojnë në punë këtë ditë dhe punëdhënësit t’u japin punonjësve ditë pushimi, t’i anulojnë të gjitha takimet e planifikuara dhe t’i informojnë klientët për arsyet përse nuk punojnë.

Punonjësve që kanë frikë nga reagimi i punëdhënësve të tyre, studentët u sugjeruan që të marrin ditë pushimi, të hapin pushim mjekësor ose të dhurojnë gjak.

Akademikët u bënë thirrje qytetarëve që në këtë ditë t’i shmangin edhe restorantet, dyqanet dhe të gjitha vendet e tjera ku kryhen transaksione financiare.

Studentët në bllokadë kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, ku u shemb streha, pastaj heqjen e kallëzimeve penale ndaj studentëve dhe qytetarëve që u arrestuan dhe u ndaluan gjatë protestave, si dhe pezullimin e procedurave penale të nisura kundër tyre.

Në mesin e kërkesave janë edhe ndjekja penale e përgjegjësve për sulme ndaj studentëve dhe pedagogëve, shkarkimi i tyre nëse konstatohet se kanë funksione publike, si dhe rritja për 20 për qind e buxhetit për arsimin e lartë.

Exit mobile version