Autoritetet në Greqi kanë nisur hetimet rreth përplasjes së një aeroplani privat nga Izraeli, në të cilin ka mbetur i vdekur një dëshmitar i prokurorisë në rastin gjyqësor për korrupsion ndaj ish-kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Haim Geron, ish-zyrtar i lartë i Ministrisë izraelite për komunikime, dhe bashkëshortja e tij kanë mbetur të vdekur në aksidentin e së hënës vonë, në afërsi të ishullit grek Samos.
Geron ishte njëri prej mbi 300 dëshmitarëve që prokuroria ka paraqitur për gjykimin ndaj Netanyahut për korrupsion.
Netanyahu akuzohet se ka pranuar dhurata të kushtueshme nga bashkëpunëtorë të kamur, ndonëse ai i hedh poshtë pretendimet. Bordi grek për hetimin e aksidenteve ajrore ka bërë të ditur se tanimë është duke e hetuar shkaktarin e aksidentit.
Fluturakja njëmotorëshe e tipit Cessna 182, e nisur nga Haifa në Izrael, është përplasur në afërsi të aeroportit në Samos.