Një skandal që mund të trondisë jo pak sistemin shëndetësor grek, ka ndodhur në qendrën mjekësore të komunës Palama në Kardhicë të Greqisë.
Prokuroria e Kardhicës hapi një hetim urgjent, pas denoncimeve se një punonjëse e kësaj qendre mjekësore, kishte lëshuar mbi 480 vërtetime vaksinimi kundër Covid 19, pa iu injektuar doza e vaksinës.
Skandali duket se ka përfshirë edhe drejtues të sektorit të shëndetësisë, ndërsa pas ndërhyrjes së prokurorisë së Kardhicës, u zbulua se në këtë qendër janë kryer 40.000 vaksinime, ndërkohë që numri i banorëve është vetëm 6000.
Askush nuk mund të thotë me saktësi ç’ka ndodhur, por burime qeveritare shprehën shqetësimin se ndoshta kemi të bëjmë me një skandal me përmasa të mëdha.
Menjëherë është dërguar në zonë një grup kontrolli, ndërkohë që me urdhër të ministrit të Shëndetësisë Thanos Plevris është pezulluar i gjithë stafi i kësaj qendre mjekësore.
Shumica e vërtetimeve të rreme të vaksinimeve duket se u është dhënë qytetarëve nga Greqia Veriore dhe kryesisht nga vendi i origjinës së infermieres në periudhën kohore para muajit gusht.
Përveç vaksinimeve të rreme po hetohet edhe për dhënien e vërtetimeve false të testeve laboratorike PCR, raporton TCH.
Në ditët në vijim, pritet të fillojnë procedimet penale pasi të zbulohen edhe të dhënat bankare të infermieres në fjale, ndërkohë që po hetohet edhe për implikimin e personave të tjerë nga stafi i qendrës shëndetësore.
Madje nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së akuzave penale edhe ndaj atyre që janë vaksinuar.
Skandali në fjalë u zbulua kur në fund të ditës së vaksinimit në qendrën shëndetësore të Palamas Karditsa, u gjetën dy vaksina të tepërta. Kështu, hetimi çoi në zbulimin e certifikatave të personave të vaksinuar, në të cilat u zbulua se nuk kishte vulë dhe nënshkrim të mjekut, siç përcaktohej në rregullore.