Festivali i Filmit në Sarajevë ka një histori të veçantë, e cila nis gjatë viteve të luftës dhe rrethimit të qytetit.
Në vitin 1993, në Sarajevën e rrethuar, u krijua kinemaja e luftës Apollo, si një mënyrë për t’u përballur me realitetin e vështirë dhe për të ruajtur një ndjenjë normaliteti përmes artit dhe filmit.
Dy vite më vonë, nga e njëjta frymë lindi Festivali i Filmit në Sarajevë, i cili me kalimin e viteve u shndërrua në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë në rajon.
Gratë kanë pasur një rol të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e festivalit. Izeta Građević, e cila ishte pjesë e Obala Art Center që nga fillimet, ka qenë drejtoreshë kreative e festivalit dhe ka kontribuar në krijimin e identitetit të tij vizual, përzgjedhjen e filmave dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme.
Edhe Elma Tataragić është pjesë e historisë së festivalit që nga edicioni i parë në vitin 1995. Sot ajo është e angazhuar në përzgjedhjen e filmave për disa prej kategorive kryesore, duke kontribuar në promovimin e autorëve dhe historive të reja nga rajoni.
Një tjetër emër i rëndësishëm është Rada Šešić, e cila prej vitesh drejton përzgjedhjen e konkurrencës së filmave dokumentarë. Përmes programit dhe punëtorisë Docu Rough Cut Boutique, ajo ndihmon projekte filmike që janë ende në fazën e montazhit të zhvillohen dhe të gjejnë rrugën drejt publikut.
Festivali ka shënuar gjithashtu historinë e tij me aktore dhe regjisore që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në kinematografinë rajonale dhe ndërkombëtare. Aktorja kroate Marija Škaričić ka fituar tri herë çmimin Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë.
Ndër figurat e njohura që kanë qenë pjesë e festivalit është edhe regjisorja boshnjake Jasmila Žbanić, ndërsa në historinë e tij kanë marrë pjesë edhe emra të mëdhenj të kinematografisë botërore.
Angelina Jolie, Isabelle Huppert dhe Meg Ryan janë nderuar me Zemrën e Nderit të Sarajevës, ndërsa këtë vit pjesë e festivalit do të jetë edhe aktorja britanike Emily Watson, dy herë e nominuar për çmimin Oscar. Ajo pritet të kryesojë jurinë kryesore dhe të nderohet gjithashtu me Zemrën e Nderit të Sarajevës.
Edicioni i këtij viti dëshmon gjithashtu për rritjen e rolit të grave në regjinë filmike. Nga nëntë filmat artistikë në konkurrencën kryesore, gjashtë janë realizuar nga gra, mes tyre Urša Menart, Dina Duma, Kosara Mitić, Blerta Basholli, Sandra Wollner dhe Ana Urushadze.
Ky përfaqësim shkon përtej statistikës dhe dëshmon se perspektiva femërore po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në kinemanë bashkëkohore të rajonit dhe Evropës./A.K/
