Ndërsa thuhet se punonjësve femra në Kabul iu tha të qëndrojnë në shtëpi, disa organizuan një protestë kundër kufizimeve të fundit ndaj grave nga qeveria e re talibane. Disa gra afgane u mblodhën në Kabul të dielën për të kërkuar të drejtën për të punuar dhe studiuar nën qeverinë e re.
Që nga kthimi i talibanëve në pushtet pas një lufte dy-dekadëshe, militantët fundamentalistë kanë nxjerrë rregulla kufizuese mbi edukimin e vajzave dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën publike. Dhjetëra gra protestuan jashtë ambienteve të asaj që dikur ishte Ministria Afgane e Çështjeve të Grave, derisa talibanët e shndërruan atë në departamentin për përhapjen e virtytit dhe parandalimin e veseve.
“Një shoqëri në të cilën gratë nuk janë aktive është një shoqëri e vdekur,” shkruante në një tabelë ndërsa protestuesit thërrisnin, “të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut”.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, kryetari i përkohshëm i talibanëve në Kabul, Hamdullah Namony deklaroi të dielën se punonjëset femra janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi, në pritje të një vendimi të tjetër. Namony tha se bëhen përjashtime për gratë që nuk mund të zëvendësohen nga burrat.
Grave në disa zona në Afganistan u është thënë të qëndrojnë në shtëpi nga punët e sektorit publik dhe privat. Por talebanët nuk kanë shpallur ende një politikë uniforme ndaj punës së grave, raporton DeutscheWelle, transmeton Klankosova.tv.
Deri më tani, ata i kanë ndaluar vajzat të ndjekin shkollën e mesme dhe kanë udhëzuar universitetet që të ndajnë klasat sipas gjinisë. Talibanët gjithashtu në kabinetin e ri afgan nuk emëruan gra në postet ministrore. Qindra gra kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër këtyre kufizimeve gjatë muajit të kaluar. Demonstratat e tyre kryesisht janë përballur me forcë nga luftëtarët talibanë.