Rasti i Granit Xhakës ka marrë përmasa të mëdha në Zvicër dhe në mediat ndërkombëtare, pasi kapiteni i përfaqësueses helvetike pranoi publikisht se kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19. Ngjarja ka nxitur reagime të shumta, ndërsa Prokuroria Publike e Lucernit tashmë ka nisur hetime zyrtare ndaj tij për dyshimet rreth falsifikimit të dokumenteve, me futbollistin që pritet të merret në pyetje nga autoritetet në fillim të muajit të ardhshëm.
Pasi lajmi u bë publik nga mediat zvicerane, vetë Xhaka reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e pranoi sigurimin e certifikatës, e cilësoi veprimin si një gabim të rëndë dhe kërkoi falje publike. Pranimi i tij i dha një dimension të ri procesit, duke hapur një debat të gjerë mbi pasojat ligjore dhe të ardhmen e tij me kombëtaren. Sipas analizave mediatike në Zvicër, nëse shpallet fajtor, Xhaka mund të përballet me gjobë financiare, ndërsa dënimi me burgim, ndonëse i parashikuar në teori nga ligji deri në pesë vjet, konsiderohet si një mundësi thuajse e pamundur.
Lajmi ka bërë jehonë të madhe edhe në mediumet më të njohura ndërkombëtare si “BBC”, “Reuters” dhe “The Guardian”. Ndërkohë, mediat zvicerane si “Blick”, “SRF” dhe “20 Minuten” po diskutojnë hapur nëse Xhaka duhet të vazhdojë ta mbajë shiritin e kapitenit apo të largohet nga përfaqësuesja. Në mes të këtij presioni, Federata Zvicerane e Futbollit dhe presidenti Peter Knabel kanë konfirmuar se është vendosur që Xhaka të mbetet jashtë grumbullimit aktual në Turqi dhe të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, me qëllim që të ruhet qetësia brenda ekipit deri në një rivlerësim të dytë të situatës.
D.L
