Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, nuk i ka fshehur ambiciet e tij të mëdha para Kupës së Botës 2026, duke deklaruar se ëndrra e tij më e madhe është të fitojë trofeun më prestigjioz në futbollin botëror.
Në një intervistë për mediumin zviceran Blick, mesfushori shqiptar tha se synimi i tij është të shpallet kampion bote me Zvicrën, pavarësisht se shumëkush mund ta konsiderojë këtë objektiv tepër ambicioz.
“Dua të bëhem kampion bote. Ndoshta disa do të qeshin me këtë, por unë gjithmonë kam menduar në këtë mënyrë. Duhet të kesh vizione dhe të mendosh në përmasa të mëdha. Nëse nuk beson vetë në ëndrrat e tua, atëherë nuk mund t’i arrish kurrë ato”, deklaroi Xhaka.
Mesfushori 33-vjeçar theksoi se kjo mënyrë e të menduarit e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij dhe nuk duhet të interpretohet si arrogancë. Ai kujtoi se edhe para triumfit historik të Zvicrës në Kupën e Botës U17 në vitin 2009 kishte besuar fuqishëm se skuadra e tij mund të arrinte deri në fund.
Xhaka vlerëson se brezi aktual i futbollistëve zviceranë posedon cilësi të mjaftueshme për të konkurruar me kombëtaret më të forta në botë. Sipas tij, çdo sukses i madh nis nga besimi dhe bindja se ai është i arritshëm.
“Për të shkruar histori, fillimisht duhet të besosh se është e mundur”, është mesazhi që përcjell kapiteni zviceran, teksa synon të udhëheqë ekipin drejt një paraqitjeje sa më të suksesshme në Kupën e Botës 2026.
