Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shpalli sot fillimin e edicionit VIII të Konkursit Kombëtar “Novelat Grafike Shqiptare 2024”. Ky konkurs fton të gjithë të rinjtë deri në moshën 29 vjeç të ndajnë idetë e tyre kreative në botën e artit grafik.
Punimet më të mira do të vlerësohen me çmime të veçanta. Kjo nismë përkon me qëllimet dhe projektet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke promovuar politikat kulturore dhe ndihmuar në edukimin e brezit të ri në fushën e arteve.
Qëllimi kryesor i këtij konkursi është të edukojë dhe të formojë cilësinë artistike dhe gjuhësore nëpërmjet aplikimit të trashëgimisë kulturore në formën e novelave grafike. Tematika e punimeve duhet të fokusohet në aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, duke përfshirë trashëgiminë kulturore, 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut, letërsinë shqiptare, legjendat dhe përrallat, gojëdhënat, zakonet dhe traditat, si dhe kinematografinë shqiptare.
Në përpjekje për të mbrojtur dhe zhvilluar gjuhën shqipe, konkursi inkurajon përdorimin e onomatopeve në novelat grafike. Tekstet shoqëruese mund të jenë në gjuhën shqipe standard, në dialekte ose në gjuhën e pakicave kombëtare.
Afati i fundit për dorëzimin e punimeve është data 31 korrik 2024. Ky projekt synon të forcojë lidhjen e rinisë me trashëgiminë kulturore të vendit dhe të promovojë krijimtarinë e tyre nëpërmjet artit grafik. /UBTNews/
©️D.E