UBT News

Grabitet një banke në Tiranë, policia arreston autorin e armatosur

Screenshot

Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur në një filial banke në Tiranë, ku një person i armatosur ka arritur të marrë një shumë parash duke rrezikuar jetën e punonjësve të bankës. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë së Shtetit, autori është neutralizuar dhe arrestuar në tentativë për t’u larguar nga vendngjarja.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues Elton Alushi, zhvilluan një takim falënderues me dy punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2, të cilët ndërhynë me guxim dhe profesionalizëm.

Bëhet fjalë për Inspektor Ermal Çekun dhe Inspektor Eduart Salikon, të cilët mbërritën në vendngjarje në kohë rekord, neutralizuan autorin e armatosur, sekuestruan armën e zjarrit si dhe rikuperuan shumën e parave të grabitura.

Gjatë fjalës së tij para efektivëve të Komisariatit Nr. 2, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda theksoi se reagimi i shpejtë dhe profesionalizmi i treguar janë shembull i standardit që përfaqëson Policia e Shtetit.

“Përballë një personi të armatosur, vepruat me vendosmëri dhe kontroll të plotë të situatës. Këto janë veprime që nderojnë uniformën, forcojnë autoritetin e Policisë së Shtetit dhe rrisin besimin e qytetarëve tek institucioni ynë. Krenar dhe mirënjohës për ju dhe për çdo efektiv policie që mishëron profesionalizmin, guximin dhe përgjegjësinë në çdo moment shërbimi. Jepni gjithmonë më të mirën tuaj në shërbim të qytetarëve dhe të ligjit. Ju falënderoj,” – u shpreh Proda.

Policia bën me dije se hetimet për rastin vijojnë, ndërsa falë ndërhyrjes së shpejtë u shmangën pasoja më të rënda për qytetarët dhe punonjësit e bankës.

 

 

Exit mobile version