UBT News

Goditje platformave amerikane: Rusia ndalon Snapchat, FaceTime dhe Roblox

Mbikëqyrësi shtetëror i komunikimeve në Rusi ka intensifikuar presionin ndaj platformave të huaja të komunikimit, duke bllokuar të enjten aksesin në Snapchat, vetëm pak orë pasi vendosi kufizime për shërbimin FaceTime të Apple.

Sipas Roskomnadzor, Snapchat po përdorej “për organizimin dhe kryerjen e aktiviteteve terroriste në vend”, si dhe për mashtrime dhe vepra të tjera penale, sipas deklaratave të publikuara nga media shtetërore.

Aplikacioni, i njohur për mesazhet me foto e video që zhduken, kishte rreth 7.6 milionë përdorues në Rusi në vitin 2022.

Autoritetet dhanë arsyetim të ngjashëm edhe për kufizimet e vendosura ndaj thirrjeve zanore dhe video në FaceTime, një nga platformat e fundit të përhapura të komunikimit video që mbeteshin të qasshme në Rusi pas kufizimeve të mëparshme ndaj WhatsApp dhe Telegram.

Këto masa vijnë në një kohë kur Roskomnadzor po shton presionin edhe ndaj WhatsApp, i cili është aplikacioni më i përdorur në vend me gati 100 milionë përdorues.

Javën e kaluar, institucioni paralajmëroi se mund të bllokojë plotësisht shërbimin, duke e akuzuar kompaninë në pronësi të Meta-s se nuk po i përmbahet ligjeve ruse për lokalizimin e të dhënave dhe se ka kryer shkelje të përsëritura të lidhura me aktivitet të dyshuar terrorist.

Kufizimet ndaj FaceTime dhe Snapchat u ndërmorën një ditë pasi Roskomnadzor bllokoi aksesin në platformën amerikane të lojërave Roblox, duke e akuzuar për shpërndarje materialesh ekstremiste, “propagandë LGBT” dhe ndikim negativ në zhvillimin moral të fëmijëve.

Roblox ishte loja mobile më e shkarkuar në Rusi gjatë vitit 2023. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version