Një sulm rus ka goditur një urë të dytë kryesore në Kiev, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, ndërsa Rusia po intensifikon sulmet mbi infrastrukturën kritike në kryeqytetin ukrainas, raporton BBC.
Sulmi të shtunën në mëngjes dëmtoi shtresën e rrugës dhe linjat ajrore të trolejbusëve në Urën Veriore (Northern Bridge), deklaroi Klitschko, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.
Goditja vjen pasi një tjetër urë kyçe e qytetit, Ura e Jugut, u shënjestrua disa herë nga dronët rusë të enjten dhe të premten. Klitschko më herët paralajmëroi se sulme të tilla po e “shqyejnë Kievin”.
Urat e Veriut dhe të Jugut lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit dhe nuk ishin goditur kurrë më parë para të enjtes, gjë që sinjalizon një fazë të re në strategjinë e Moskës.
Sulmet mbi Urën e Jugut kanë shkaktuar kaos të madh në transport që nga e enjtja, me pezullimin e qarkullimit të metrosë dhe makinave mbi të. Shumë nga banorët e qytetit — i cili numëron rreth tre milionë banorë — mbështeten te metroja për të udhëtuar përmes qytetit.
Në sulmin e së enjtes, një dron rus goditi kabllot e urës Pivdennyi në Kiev.
Duke shkruar në Telegram të shtunën, Klitschko tha: “Goditje në Urën e Veriut. Shërbimet e urgjencës janë rrugës.”
“Qarkullimi në urë nga bregu i majtë në të djathtin për momentin është i bllokuar,” shtoi ai.
Sulmet e mëparshme në Urën e Jugut shtynë këshillin e mbrojtjes të Kievit të mbante një mbledhje krize të premten, pas së cilës Klitschko paralajmëroi se qyteti ndodhet në një “situatë shumë dramatike”, ndërsa Moska po godet “infrastrukturën kritike, logjistikën, strehimin” dhe objekte të tjera kyçe.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po vepron si përgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës mbi objektet energjetike ruse, me gjithë faktin se ishte vetë Moska ajo që kishte nisur e para sulme të tilla.
Pas sulmit në Urën e Jugut, udhëtarët përshkruan se si pluhuri nga vala e shpërthimit hyri në vagonin e tyre përmes sistemit të ventilimit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Putin ka vendosur që “tashmë nuk ka rregulla” gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.
Në një intervistë për Financial Times, ai tha: “Rusët dështuan të na pushtojnë. Kështu që tani po kryejnë sulme masive dhe vrasje masive.”
Ai shtoi: “Ata duan të shkatërrojnë urat tona… qendrat tona të të dhënave, internetin, rrjetet celulare, spitalet, kopshtet, shkollat, universitetet — gjithçka. Ata duan që njerëzit të ikin nga qytetet e tyre.” /BBC/
