Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka finalizuar me sukses një operacion të madh me ç’rast ka goditur një grup kriminal ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike.
Njoftimi është bërë i ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili konfirmoi se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 37 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë. Droga ishte e ndarë në 62 paketime, ndërsa vlera e saj në tregun e zi përllogaritet të jetë mbi gjysmë milioni euro.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar pesë persona të dyshuar për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Përmes një deklarate publike, ministri Sveçla përgëzoi organet e rendit për punën profesionale dhe nënvizoi se angazhimi i institucioneve të sigurisë do të rritet edhe më tej.
Tutje ai shtoi se Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të shërbejë asnjëherë si zonë e sigurt për grupet kriminale apo për aktivitete që cenojnë shëndetin, mirëqenien e rinisë dhe sigurinë e përgjithshme të qytetarëve. /E.A/
