Agron Demi, autor i analizës “Fondet publike, shëndeti publik: Analiza e transparencës së buxhetit të shëndetësisë në Kosovë”, në një tryezë diskutimi të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) tha se Ministria e Shëndetësisë publikon raporte buxhetore, porse nuk paraqet detaje.
“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka shënuar progres sa u përket publikimeve të raporteve buxhetore. Nga niveli qendror jo vetëm Ministria e Shëndetësisë, por as ministritë e tjera nuk e zbatojnë diskutimin me publikun.
Kosova nuk qëndron mirë sa i përket mbikëqyrjes parlamentare dhe asaj të auditimit për fondet publike në sektorin e shëndetësisë. Prej 100 pikëve maksimale, Kosova ka marrë 53 pikë sa i përket mbikëqyrjes parlamentare
Kuvendi i Kosovës dhe Komisioni i tij përkatës për Shëndetësi kanë autoritetin ligjor për të mbikëqyrur se si shpenzohen fondet publike në sektorin e shëndetësisë”, tha Demi.
Në këtë tryezë u vu në dukje se Kosova qëndron keq e renditur në krahasim me vendet tjera në sektorin e konsultimeve buxhetore me publikun.
Bazuar në një pilot projekt të zbatuar nga Instituti GAP në vitin 2023, sa i përket ku gjendet Kosova anketën e transparencës buxhetore, del se vendi ynë ka marrë vetëm 9 pikë nga 100 të mundshme.
Po ashtu u vlerësua se se në Kosovë procesi i konsultimeve buxhetore me publikun dhe organizatat joqeveritare e mediat është në nivelin më të ulët të mundshëm.
Ndërsa, drejtori financiar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Enver Gashi tha se
për keqpërdorimin e fondeve nuk mund të thotë se ka pasur apo jo, pasi me këtë pjesë merren organet kompetente.
“Në nivel qendror nuk ekziston mundësia e diskutimit me publikun për buxhetin në mënyrë direkte.
Në takimet e bordit kur diskutohet për buxhetin marrin pjesë shoqëria civile dhe gazetarët”, tha Gashi.