Këngëtarja Gloria Estefan rrëfeu se u abuzua seksualisht nga një anëtar i familjes kur ishte 9-vjeçe.
Këngëtarja kubano-amerikane ka deklaruar se ajo ishte ngacmuar derisa ndiqte mësimin në shkollën e muzikës, nga dikush të cilit nëna e saj i besonte.
“93% e fëmijëve të abuzuar i njohin dhe ju besojnë abuzuesve të tyre. E di këtë sepse jam njëra nga to”, deklaroi ajo.
Këngëtarja foli për herë të parë rreth kësaj çështje në një paraqitje në Facebook, ku pranë saj ishin e bija dhe mbesa e saj.
“Ai është anëtar i familjes, por jo i familjes së ngushtë. Ai ishte në pozitën e fuqisë, sepse nëna ime më ka dërguar në shkollën e tij të muzikës dhe ai menjëherë filloi të më thoshte se sa e talentuar isha, dhe se si unë kisha nevojë për vëmendje të posaçme”, deklaroi ajo mes tjerash.
Estefan u lind në Kubë, por u zhvendos me familjen e saj në Miami kur ishte fëmijë.
Fituesja e trefishtë e Grammy thotë se ishte e vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhej, por nuk mund ta largonte atë.
“I thashë, nuk mund të ndodhë kjo. Ai më tha: ‘Babai yt është në Vjetnam, të ëmën e ke vetëm dhe do ta vrasë atë nëse i tregon’. Ai ishte i çmendur dhe e dija se ai do të mund ta lëndonte nënën time”, deklaroi ajo, duke shtuar se përfundimisht i kishte treguar të ëmës çka kishte ndodhur.
Megjithëse nëna e saj njoftoi policinë, ata e këshilluan që të mos ngrinte padi sepse ajo “do të përjetonte trauma edhe më të rënda kur do t’i duhej të dëshmonte’./UBTNews