UBT News

Global UBT Fest 2026: Sesione të dedikuara inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë

Në kuadër të edicionit të sivjetmë të Global UBT Fest 2026, në Akademinë Verore për Produkte dhe Shërbime Profesionale në UBT, të udhëhequr nga Drejtori, Prof. Dr. Besnik Skenderi, u organizuan një sërë prezantimesh dhe ligjëratash të fokusuara në inovacion, sipërmarrje, teknologji dhe zhvillimin profesional të studentëve.

Aktiviteti u hap me prezantimin e UBT Startup School, të udhëhequr nga profesorët Artiana Fazliu dhe Agron Parduzi, të cilët prezantuan mundësitë që kjo platformë ofron për zhvillimin e ideve inovative, mbështetjen e sipërmarrësve të rinj dhe ndërtimin e startupeve të suksesshme.

Në vijim, profesori Agron Parduzi prezantoi Ekosistemin e UBT-së, duke theksuar rolin e tij në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, si dhe ndikimin e tij në zhvillimin e projekteve dhe iniciativave me vlerë për komunitetin.

Ndërsa, profesori Besnik Skenderi mbajti dy ligjërata me tema aktuale. Në prezantimin “Ndikimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në tregun global të punës”, ai trajtoi transformimet që po sjell inteligjenca artificiale në profesionet e së ardhmes, aftësitë që kërkon tregu dhe sfidat e mundësitë për gjeneratat e reja.

Ndërsa në ligjëratën “Metoda Agile për Menaxhimin e Projekteve”, ai prezantoi parimet dhe praktikat moderne të menaxhimit të projekteve, duke theksuar rëndësinë e fleksibilitetit, bashkëpunimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

Këto aktivitete dëshmuan edhe një herë angazhimin e UBT-së për të ofruar përvoja bashkëkohore të të mësuarit, duke lidhur studentët me temat më aktuale të teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes në nivel global.

Exit mobile version