UBT News

Gllogjani nderon dëshmorët në 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”

Me rastin e 24 marsit, qytetarë të shumtë vizituan varrezat e dëshmorëve në Gllogjan për të nderuar 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, duke kujtuar betejën e vitit 1998 mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, raporton Ekonomia Online.

Në këtë përvjetor, u lartësua sakrifica e dëshmorëve Him Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht gjatë rrethimit të fshatit.

Qytetari Ragip Gegaj theksoi rëndësinë e këtij vendi duke u shprehur se “kombi nuk ka nevojë me shku në Qabe, sepse Qaben e kanë në Dukagjin e në Drenicë”, duke shtuar se vizita te varret e dëshmorëve është detyrim për të mos harruar ditët më të vështira të Kosovës.

Ndjenja e krenarisë u reflektua edhe nga vizitorë të tjerë, si Gani Çeku nga Irzniqi, i cili u shpreh se homazhet në Prekaz e Gllogjan janë një privilegj për çdo qytetar.

“Këtu ne jemi të privilegjuar sa herë që vijmë këtu dhe bëjmë vizita, homazhe. Vendi i shenjtë, jo vetëm për mua, po për krejt popullin e Kosovës. Prekazi edhe Gllogjani. Unë jam shumë, shumë krenar që vizitoj këto varreza të dëshmorëve”, tha ai.

Ndërsa Shefqet Demhasaj nga Carrabregu nënvizoi se “tërë Kosova ia ka borxh Dukagjinit” për rezistencën e madhe që mundësoi lirinë e popullit.

Pjesë e këtij përvjetori ishin edhe brezat e rinj, si nxënësja Sumeja Lajçi e cila recitoi vargje për dëshmorët, duke dëshmuar se kujtimi për betejën e 24 marsit 1998 mbetet i gjallë dhe i shenjtë për të gjithë shqiptarët. /Ekonomia online/

Exit mobile version