UBT News

Gjysmëfinalja e plejofit Sllovaki – Kosovë do të luhet në Bratislavë

Federata e Futbollit e Sllovakisë ka vendosur që gjysmëfinalen e plejofit për kualifikim në Botërorin 2026 kundër Kosovës ta zhvillojë në Bratislavë. Opsione të tjera ishin stadiumet e qyteteve Trnava dhe Košice.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës, Peter Palençik, shpjegoi arsyet pas këtij vendimi:

“Pas shortit të ndeshjeve të plejofit, morëm në konsideratë opsionet. U analizuan stadiumet e Bratislavës, Trnavës dhe Košicës, duke marrë parasysh kushtet, mundësitë dhe kompleksitetin e përgatitjes së një ndeshjeje të tillë. Logjistika për mbërritjen dhe qëndrimin e të dy ekipeve, kapaciteti i stadiumit dhe mundësia e ndërhyrjes në rast të ndonjë situate të paparashikuar ishin faktorë vendimtarë. Në fund, vendosëm që ndeshja të zhvillohet në Bratislavë dhe ia kemi komunikuar këtë edhe UEFA-s”, tha Palençik për “futbalsfz.sk”.

Kapaciteti i stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja është 22,500 ulëse, dhe tribunat janë tërësisht të mbuluara.

Stadiumi u lëshua për shfrytëzim pas rinovimit në vitin 2013. Ndeshja është caktuar për 26 mars, ora 20:45. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version