Të mërkurën mbrëma vazhdon gara e zjarrtë në plejofin e Superligës së Kosovës në basketboll, ku në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren zhvillohet gjysmëfinalja e tretë mes Bashkimit dhe Borës së Prishtinës, me fillim nga ora 19:30.
Seria mes dy skuadrave është plotësisht e baraspeshuar, pasi pas dy takimeve të para rezultati është 1:1. Për të siguruar një vend në finale, skuadra duhet të arrijë tri fitore, ndaj kjo përballje pritet të ketë peshë të madhe për vazhdimin e garës.
Si Bashkimi, ashtu edhe Bora synojnë të hedhin hapin vendimtar drejt finales, në një duel ku pritet atmosferë e zjarrtë dhe rivalitet maksimal. Dy ndeshjet e para kanë qenë shumë të forta dhe të barabarta, duke u vendosur vetëm në momentet e fundit.
Ndërkohë, të enjten luhet edhe gjysmëfinalja tjetër mes Trepçës dhe Pejës. Edhe kjo seri është e barazuar 1:1, ndërsa ndeshja e tretë zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, po ashtu nga ora 19:30.
