UBT News

Gjyqtari somalez Omar Artan mbetet jashtë Kupës së Botës 2026 pasi iu mohua hyrja në SHBA

Omar Abdulkadir Artan, i cili pritej të bëhej somalezi i parë që do të drejtonte ndeshje në një Kupë Bote, është hequr nga lista e arbitrave të Kampionatit Botëror 2026 pasi autoritetet amerikane i mohuan hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Artan, i shpallur “Gjyqtari i Vitit 2025” në Afrikë për kategorinë e meshkujve, ndodhet aktualisht në Turqi, pasi u ndalua të hynte në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit. Sipas raportimit të BBC-së, autoritetet amerikane të imigracionit nuk kanë dhënë një arsye zyrtare për riatdhesimin e tij. Megjithatë, Somalia figuron në listën e vendeve ndaj të cilave administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur kufizime udhëtimi.

Pas komunikimeve me autoritetet amerikane, FIFA konfirmoi se arbitri somalez nuk do të mund të marrë pjesë në Botëror.

“FIFA mund të konfirmojë se gjyqtari Omar Abdulkadir Artan nuk do të jetë në gjendje të drejtojë ndeshje në Kupën e Botës pasi iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e organit qeverisës të futbollit botëror.

FIFA sqaroi se nuk ka rol në procedurat e imigracionit të vendit organizator dhe se është informuar nga autoritetet amerikane se statusi i Artanit nuk do të ndryshojë për momentin.

“Në përputhje me praktikat e ngjarjeve të mëparshme të FIFA-s, qeveria e vendit organizator ka fjalën përfundimtare lidhur me lëshimin e vizave dhe lejimin e hyrjes në territorin e saj”, thuhet më tej në reagimin e FIFA-s.

Një këshilltar i lartë në Ministrinë e Rinisë dhe Sportit të Somalisë konfirmoi për BBC se Artan kishte udhëtuar me dokumentacion të rregullt dhe se, për t’ia lehtësuar udhëtimin, autoritetet somaleze i kishin lëshuar edhe pasaportë diplomatike pas problemeve të mëhershme me vizat.

Vetë Artan reagoi për agjencinë Reuters, duke deklaruar se mbetet i fokusuar në të ardhmen pavarësisht zhgënjimit.

“Dua të falënderoj FIFA-n dhe Konfederatën Afrikane të Futbollit për gjithë mbështetjen. Premtoj se do të vazhdoj ta mbaj në nivel të lartë arbitrimin tim, ndërsa fokusohem në sfidat e ardhshme”, ka thënë ai.

Arbitri somalez u ka uruar sukses kolegëve të tij në Kupën e Botës dhe ka shprehur shpresën se do t’u bashkohet atyre në kompeticionet e ardhshme ndërkombëtare.

Ndërkohë, Andrew Giuliani, drejtues i Task-Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, deklaroi për BBC se vendimi i autoriteteve kufitare amerikane ishte i drejtë dhe se ai e mbështet atë, pa dhënë detaje shtesë.

Artan ishte njëri nga 52 gjyqtarët e përzgjedhur nga FIFA për Kampionatin Botëror 2026. Ai mban stemën e FIFA-s që nga viti 2018 dhe ka drejtuar ndeshje në kompeticione prestigjioze, përfshirë Kupën e Kombeve të Afrikës.

Exit mobile version