I njohur si “gjyqi i shekullit” në futbollin anglez, procesi që po zhvillohet në Londër ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës sportive. Ky gjyq, që njihet si më i rëndësishmi në historinë e sportit, mund të ketë pasoja dramatike për Manchester City-n. Vendimi përfundimtar nga Komisioni i Pavarur nuk pritet të dalë deri në fillim të vitit 2025, pasi seanca 10-javore, e cila filloi javën e kaluar, ende vazhdon.
Manchester City po mbron pafajësinë e tij ndaj akuzave që variojnë nga 115 deri në 130, të ngritura nga Premier League për parregullsi financiare. Klubi është i përfshirë në një betejë ligjore të fortë, dhe akuzat përfshijnë manipulimin e të dhënave financiare dhe mosraportimin e shpenzimeve.
Skuadrat e tjera angleze parashikojnë një dënim shembullor për City-n, i cili mund të përfshijë një gamë të gjerë sanksionesh, nga gjoba financiare, zbritje pikësh deri te përjashtimi nga garat dhe heqja e titujve. Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me situatën, duke thënë: “Manchester City është anëtar i shoqatës që ka bërë parregullsi dhe duhet të marrë sanksionin që meriton. Përndryshe, gara do të humbasë autoritetin e saj.”
Sipas raportimeve ekskluzive nga gazeta britanike “The Telegraph”, Manchester City rrezikon të përjashtohet nga FA Cup dhe Carabao Cup, dhe ka pasiguri në lidhje me vazhdimin e pjesëmarrjes në Champions League ose Kupën e Botës për Klube nëse shpallet fajtor për shkelje të rënda të rregulloreve financiare.
Klauzola 31 e rregullores së FA Cup specifikon se “kur një klub është pranuar për të marrë pjesë në kompeticion, por më pas është eliminuar nga liga në të cilën ai konkurron, Bordi Profesional i Lojërave (PGB) mund ta largohet klubin nga kompeticioni.” Kjo do të thotë se një vendim i pafavorshëm për City-n do të kishte implikime të mëdha për të ardhmen e klubit.
Të gjithë sytë janë drejt këtij gjyqi historik, me pasojat e mundshme që mund të ndryshojnë ndjeshëm peizazhin e futbollit anglez dhe të Europës. Klubi duhet të përballojë një sfidë të madhe, ndërsa pret me padurim vendimin e Komisionit përfundimtar./UBTNews/