UBT News

Gjyldane Kiçmari e quan të kundërligjshëm e tendencioz shkarkimin nga Bordi i KOSTT-it: S’do të dorëzohem

Gjyldane Kiçmari është e bindur se 68 deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vepruar kundërligjshëm dhe me tendencë kur votuan pro shkarkimit të saj nga Bordi i KOSTT-it.

Kiçmari në një intervistë për Ekonomia Online ka sqaruar se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ia ka mundësuar që të mbajë pozitën e anëtares së Bordit në KOSTT dhe pozitën në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës.

Madje ajo thotë se edhe ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kundër korrupsionit kanë konstatuar se mund t’i mbajë të dy pozitat.

“Vendimin e Kuvendit e konsideroj si vendim te kundërligjshëm dhe tendencioz. Është vendim i kundërligjshëm, sepse Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit  ma lejon ushtrimin e dy pozitave, jo vetëm ligji, por edhe opinioni i Ministrisë së Drejtësisë që referohet në nenin 13 paragrafin 2  gjithashtu edhe AKK-ja ka nxjerr opinion për rastin tim dhe ka konsideruar që unë kam të drejtë t’i mbaj dy pozita, drejtore në njësinë e auditimit të brendshëm në ASHN dhe anëtarë e Bordit të drejtorëve në KOSTT”.

Ajo thotë me tej se emërimi në Bord është bërë me konkurs publik dhe sa ka qenë kandidatja me numrin maksimal të pikëve.

“Emërimi është bërë me konkurs publik, ne kemi aplikuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dosjet tona janë përcjell në Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike, ata i kanë selektuar kandidatët, i kanë thirr në intervistë i kanë vlerësuar. Derisa thuhet nga deputetet se kam pasë konflikt interesi pse atëherë në këtë fazë të selektimit të dokumenteve për kandidatë për anëtar të bordit të drejtorëve nuk e kanë identifikuar. Jam përzgjedh dhe jam ftuar në intervistë në komision dhe kam qenë kandidatja me numrin maksimal të pikëve. Emrat janë dërguar për votim në Kuvendin e Kosovës në seancën e datës 28.10.2020 ku edhe jam votuar”.

Thotë se ka kërkuar që t’i ndalet paga dhe të më caktohet kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve tjera të lidhura me të nga Sekretari i Kuvendit, Komisioni për Ekonomi dhe ai për Buxhet.

“Përveç kësaj, unë nuk kam kërkuar nga Kuvendi pagë shtese dhe as kompensim të shpenzimeve tjera, mirëpo kam kërkuar që të më ndalet paga në KOSTT, po e ritheksoj të më ndalet paga, dhe të më caktohet kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve tjera të lidhura me të, për te marr pjesë në mbledhjet e Bordit ashtu siç thotë Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.

“Këto kërkesa ja kam drejtuar Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, në momentin që e kam marrë shkresën prej AKK-së, për dyshim për konflikt të interesit ju kam drejtuar Kuvendit, në kohën kur unë e kam marrë kërkesën prej AKK-së Kuvendi nuk ka pas konstituim, iu kam drejtuar me kërkesën për ndalimin e pagës Sekretarit te Kuvendit. Sekretari i Kuvendit ma ka kthyer përgjigjen se nuk është kompetent me ma caktuar një shumë për me shërbyer në KOSTT. Sapo janë formuar Kuvendi dhe komisionet, më datën 07.05.2021 ju kam drejtuar Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me ‘Kërkesë për ndalimin e pagës dhe përcaktimin e kompensimit për angazhimin anëtarë e Bordit ne KOSTT’. Komisioni e ka trajtuar kërkesën dhe më datë 2 qershor e ka përcjell te Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere. Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere brenda anëtareve të vet e ka krijuar një komision nga tre anëtar, i cili me ka thirr për me dhënë mendimin tim dhe mua nuk më ka kthyer përgjigje”.

Madje ajo me kërkesë i është drejtuar edhe kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, por që nuk ka marrë përgjigje, duke shtuar se vendimet nën ndikimin e njerëzve te caktuar dhe në kundërshtim me ligjin, raporton EO.

“Me datë 5 gusht menjëherë pas raportimit të Bordit të KOSTT në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kam pranuar e-mail nga koordinatori i komisionit, me të cilin e-mail kërkohet që unë të deklarohem se cilën nga pozitat do ta zgjedh për të vazhduar më tej”.

“Këtë kërkesë e kam konsideruar si kërkese tendencioze dhe të kundërligjshme bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe opinionet e AKK dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe i kam shkruar kërkese Kryetarit të Kuvendit z. Konjufca si dhe i kam vënë ne kopje të gjithë deputetet e komisioneve për të trajtuar çështjen time. Në kërkesën time drejtuar Kryetarit të Kuvendit i kam kërkuar që të marr veprime për caktimin e kompensimit sipas ligjit si dhe jam deklaruar se deri sa kam të drejt ligjore t’i mbaje të dy pozitat do të vazhdoj t’i mbaj”.

“Kuvendi veproj si veproj dhe unë u shkarkova. Është e çuditshme thirren se janë nxjerrës te ligjeve, thirren se e zbatojnë ligjin e në fakt po marrin vendime me tendencë, nën ndikimin e njerëzve te caktuar dhe në kundërshtim me ligjin”.

Po ajo është e bindur në të drejtën se mund t’i mbajë dy pozita dhe thotë se nuk do të dorëzohet, duke iu drejtuar të gjitha institucioneve përkatëse.

“Qytetarët duhet të informohen drejtë se ligjin në këtë rast e kanë shkel deputetët dhe jo unë, e kanë shfrytëzuar mundësinë para mediave me dhënë opinionin e tyre në institucionin më të larte, mirëpo akoma dua me shpresuar se gjykata do ta merr vendimin e ligjshëm. Unë jam vajzë, motër nënë dhe bashkëshorte e dikujt, pra jam grua dhe fal atyre që më përkrahin nuk do të dorëzohem, para atyre që me arsyetime të pa ligjshme, apo edhe pa përvoje në trajtimin e çështjeve të tilla, duan të mos na lënë me punuar për të mirën e pasurive tona, pra KOSTT”.

68 deputetët të Kuvendit të Kosovës votuan pro shkarkimit të Kiçmarit nga detyra për konflikt interesi.

Mbështetje shkarkimit të Kiçmarit i ka dhënë edhe PDK-ja.

Exit mobile version