Me dëgjimin e të dëmtuarve B.K, M.B, F.S dhe H.SH, të enjten ka vazhduar gjykimi ndaj Hysri Peqani i njohur si “Burdushi” i cili po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash e armëmbajtje pa leje.
Në seancën e kaluar, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala ka ndaluar publikimin e deklaratave të të dëmtuarve deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor si dhe ka marr vendim që emrat e të dëmtuarve të publikohen vetëm me iniciale, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Me përfundimin e dëgjimit të palëve të dëmtuara, seanca ka përfunduar kurse e radhës është caktuar më 17 shtator 2021.
Ndryshe, në këtë seancë nuk ka prezantuar e dëmtuara B.K e cila sipas gjykatësit Shala, e njëjta gjendet në një aheng familjar për çka nuk ka mundur të prezantoj.
Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.
Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.
Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie e tipit “Super Campion”.
Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpëlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi