UBT News

Gjykata Supreme shfuqizon tarifën 3-euroshe për shoqëruesit e pacientëve në QKUK

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues mbi 15 vjeç të pacientëve në QKUK, duke shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr. 03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore. Ky vendim erdhi pas padisë së Institutit të Kosovës për Drejtësi kundër Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilën kontestohej ligjshmëria e kësaj pagese ditore.

Pas shqyrtimit të provave, Gjykata vlerësoi se Ministria ka tejkaluar autorizimet e saj ligjore dhe ka zgjeruar në mënyrë të palejuar nocionin e bashkëpagesës, pasi ky detyrim mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të shërbimeve shëndetësore.

Sipas aktgjykimit, tarifimi i shoqëruesve cenon të drejtën për qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor dhe krijon obligime financiare pa bazë të qartë ligjore, duke pasur parasysh se prania e familjarëve është shpesh e domosdoshme për pacientët.

Edhe pse kjo tarifë nisi të zbatohej nga shkurti i këtij viti, Gjykata Supreme theksoi se aktet nënligjore duhet të jenë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi të paparashikuara më parë.

Exit mobile version