UBT News

Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale

Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një vendim me rëndësi të veçantë për pensionistët kontributpagues, përmes të cilit shpallet i paligjshëm kufizimi kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore.

Ky vendim vjen pas shqyrtimit të një konflikti administrativ kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku Gjykata ka shfuqizuar nenin që kërkonte që dëshmitë për shkollim të lartë të ishin fituar para datës 1 janar 1991.

Sipas arsyetimit zyrtar, ky kufizim i vendosur përmes një udhëzimi administrativ nuk ka pasur bazë në ligjin për skemat pensionale dhe ka tejkaluar kompetencat ligjore të ministrisë.

Gjykata vlerëson se e drejta në pension duhet të lidhet me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore, e jo me kohën kur dikush ka përfunduar shkollimin.

Ky rregull deri më tani ka krijuar dallime të pajustifikuara dhe ka përjashtuar një kategori të tërë pensionistësh nga e drejta për një pension më të lartë bazuar në kualifikimin e tyre profesional.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme konfirmon se kushti i vendosur ishte arbitrar dhe diskriminues, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit.

Ky vendim u mundëson pensionistëve kontributpagues që të gëzojnë gradën e tyre arsimore pa u kushtëzuar nga data e diplomimit, duke siguruar që lartësia e pensionit të jetë në përputhje me përgatitjen e tyre profesionale dhe kontributet e dhëna gjatë viteve të punës.

 

Exit mobile version