UBT News

Gjykata Supreme i hap rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve

Gjykata Supreme e Kosovës i ka hapur përfundimisht rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i refuzuar si të pabazuara të pesë ankesat e parashtruara ndaj rezultateve përfundimtare. Menjëherë pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar për të mërkurën në orën 11:00 mbledhjen e radhës, ku pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë certifikimi i rezultateve përfundimtare për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjykata Supreme ka rrëzuar pretendimet e Listës Serbe, e cila ankohej se subjekti GI – Za Slobodu, Pravdu i Opstanak (ZSPO) kishte cenuar përfaqësimin autentik serb përmes votave në komunat me shumicë shqiptare. Supremja potencoi se vota është personale, e lirë dhe e fshehtë, dhe se listat nuk përmbajnë të dhëna etnike. Po ashtu, u refuzua ankesa e Emilja Rexhepit për anulim votash, meqë pretendimet për mospërputhje mes strukturës demografike dhe rezultatit nuk kishin bazë ligjore. Gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme as në ankesat e kandidatëve të PDK-së, Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut, të cilët kërkonin rinumërim të votave.

Sipas rezultateve përfundimtare që pritet të certifikohen, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 47.13 për qind të votave (53 ulëse), e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.44 për qind (22 ulëse), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 16.69 për qind (18 ulëse) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 6.74 për qind (7 ulëse), përderisa 20 ulëse u takojnë komuniteteve pakicë.

Edhe pse Kushtetuta parasheh që seanca konstituive të mbahet brenda 30 ditëve, praktika tregon se ajo thirret menjëherë pas certifikimit. Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se bisedat për koalicione do të nisin vetëm pas certifikimit zyrtar. Për formimin e Qeverisë së re nevojiten së paku 61 vota pro, ndërsa sfida kryesore pritet të jetë zgjedhja e presidentit, procedurë e cila nuk mund të nisë pa pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në votim, për të shmangur një tjetër shpërndarje të Kuvendit si ajo që çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të qershorit. /E.A/

Exit mobile version